Seanca konstituive e Kuvendit nuk ka arritur të përmbyllet as të martën, në përpjekjen e 58-të. Edhe pse janë zgjedhur kryetari i Kuvendit dhe katër nënkryetarë, procesi i konstituimit ka mbetur i papërfunduar për shkak të pamundësisë për të zgjedhur nënkryetarin nga komuniteti serb.
Deputetët e Kuvendit kanë zgjedhur për kryeparlamentar të ri Dimal Bashën e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka marrë 73 vota pro. Pas tij janë zgjedhur edhe nënkryetarët e partive shqiptare dhe ai i komunitetit joshumicë joserbe. Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala u votuan në pako me shumicë votash, derisa votat e mjaftueshme i mori edhe Emilia Rexhepi nga komunitetet joshumicë.
Por, për dallim nga herët e kaluara, kësaj radhe procesi ka ngecur te zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb.
Megjithatë Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës Dimal Basha u ka bërë thirrje dhe lutje deputetëve të opozitë, që në seancën e sotme ta votojnë Nenad Rashiqin.
Basha e ka quajtur akt patriotik votimin e Nenad Rashiqit për nënkretar të Kuvendit të Kosovës.
“Është moment historik ku deputetët do të kenë mundësinë ta votojnë Nenad Rashiqin, që e njeh Republikës e Kosovës, e jo deputetë të tjerë që i referohen si Kosova dhe Metohia. Sikur të kalonte kjo sot do të kishim kuvendin e konstituuar. Duhet me kujtu që e kemi humbur një mundësi të madhe, por kjo s’duhet me na ik sot. Unë dua ta bëjë ftesë e lutje për deputetët që të votojnë për Nenad Rashiqin, është moment i rëndësishem për Republikën tonë sepse Rashiq e njeh Republikën tonë. Është moment historik. U bëjë thirrje deputetëve që është një mundësi e madhe dhe hap patriotik sot ta votojmë një nënkryetar që e njeh Republikën e Kosovës”, tha ai.
					
							
		
		
		
		
			
		
