Të rinjtë në Kosovë mbeten më familjarët në Ballkan

Notix Info
6 Min Read

Sipas një raporti të gjerë nga Youth Study Southeast Europe 2024 mbi tranzicionet jetësore dhe qëndrimet sociale të të rinjve në rajon, Kosova shfaqet si një nga vendet ku vlerat tradicionale si martesa dhe prindërimi janë ende fort të rrënjosura — ndryshe nga shumica e vendeve të tjera, ku po vërehet një tendencë në rënie e rëndësisë së këtyre vlerave.

Kosova ndër vendet me përqindjen më të lartë të të rinjve prindër

Kosova renditet e katërta në Evropën Juglindore për përqindjen e të rinjve që janë bërë prindër, me 11.9 për qind. Para saj janë Turqia (15.7%), Sllovenia (13.4%) dhe Rumania (12.6%). Ky pozicion e vendos Kosovën ndër vendet me norma relativisht të larta të prindërimit në moshë të re, në një kohë kur në shumë vende të tjera të rajonit — përfshirë Shqipërinë, Bosnjën dhe Maqedoninë e Veriut — kjo shifër është ndjeshëm më e ulët.

Kjo tendencë shoqërohet me vlera të larta të dëshirës për të pasur fëmijë. Në Kosovë, vetëm 0.9% e të rinjve thonë se nuk e shohin veten si prindër në të ardhmen – shifra më e ulët në gjithë rajonin. Kjo tregon për një lidhje të fortë të brezit të ri me konceptin e familjes dhe vazhdimësisë, ndryshe nga vendet si Sllovenia apo Bosnja e Hercegovina, ku përqindja e të rinjve që nuk duan të bëhen prindër është mbi 40%.

Në fund të listës për kombinimin e prindërimit me shkollimin

Pavarësisht përqindjes së lartë të të rinjve që bëhen prindër, Kosova ndodhet në fund të listës sa i përket aftësisë për të kombinuar prindërimin me studimet. Vetëm 6.6% e të rinjve prindër në Kosovë janë njëkohësisht edhe studentë — krahasuar me 64.7% në Turqi, 37% në Bullgari apo 34.8% në Maqedoninë e Veriut.

Ad imageAd image

Ky fakt sugjeron vështirësi sistemike në mbështetjen e të rinjve që dëshirojnë të ndjekin rrugën e arsimit pa u shkëputur nga përgjegjësitë familjare. Përkundër trendeve në rritje në disa vende për kombinimin e këtyre dy dimensioneve të jetës, Kosova ngelet mbrapa, duke reflektuar një mungesë të qasjeve fleksibile në arsim apo mbështetjes institucionale për prindërit e rinj.

Vlerat tradicionale – një konstante për të rinjtë në Kosovë

Grafiku i përfshirë në raport tregon qartë se Kosova është një ndër vendet ku nuk ka pasur thuajse fare ndryshim në rëndësinë që i jepet martesës dhe të pasurit fëmijë mes viteve 2018 dhe 2024. Ndryshe nga shtete si Kroacia, Rumania dhe Bullgaria — ku vlerat tradicionale po zëvendësohen nga qasje më moderne dhe individualiste — në Kosovë dhe Shqipëri ruhet një stabilitet kulturor.

Të dhënat tregojnë se rinia në Kosovë i jep më shumë rëndësi prindërimit sesa martesës, megjithëse të dyja mbeten thelbësore. Ky theksim i prindërimit shfaqet në kontrast me tendencën rajonale ku të dyja vlerat po humbin nga rëndësia.

Në këtë kontekst, vlerat tradicionale duket se mbështeten më së shumti në botëkuptime patriarkale dhe autoritare, ndërkohë që individualizmi dhe zgjedhja personale lidhen me një distancim nga rolet tradicionale familjare. Megjithatë, në Kosovë, përqindja e të rinjve që refuzojnë rolin e prindit apo martesën mbetet shumë e vogël.

Modernizim i ngadaltë në Kosovë

Një tjetër aspekt që e veçon Kosovën nga vendet e tjera të rajonit është niveli shumë i ulët i bashkëjetesës pa martesë. Vetëm 0.2% e të rinjve në Kosovë jetojnë në bashkëjetesë jashtë martese – shifra më e ulët në Evropën Juglindore. Në krahasim, në Slloveni kjo përqindje është 21.5%, ndërsa në Bullgari 18.2%. Për më tepër, raporti thekson se të gjitha vendet – me përjashtim të Kosovës – kanë regjistruar rritje të ndjeshme në këtë formë moderne të partneritetit që konsiderohet si një alternativë ndaj martesës formale.

Kjo sugjeron se përkundër ndikimeve të globalizimit dhe kulturës pop, në Kosovë vazhdon të dominojë modeli tradicional i lidhjes përmes martesës dhe ndërtimit të familjes në forma më të strukturuara ligjërisht dhe socialisht.

Pavarësimi nga familja – përparim i kufizuar

Në aspektin e pavarësimit të të rinjve prindër nga familjet e tyre të origjinës, Kosova qëndron në mes të tabelës. Rreth 73.4% e të rinjve prindër në vend jetojnë të pavarur, ndërsa 26.6% ende jetojnë me prindërit e tyre. Edhe pse kjo shifër tregon një përqindje relativisht të lartë të pavarësisë, ajo është më e ulët krahasuar me vende si Greqia (97.4%) apo Kroacia (85.1%). Kjo tregon se sfidat ekonomike dhe sociale në Kosovë vazhdojnë të kufizojnë aftësinë e të rinjve për të ndërtuar një jetë tërësisht të pavarur pas lindjes së fëmijëve.

Kosova me mesataren më të lartë për numrin e dëshiruar të fëmijëve

Një nga treguesit më domethënës është dëshira për numrin e fëmijëve. Kosova kryeson rajonin me një mesatare prej 2.8 fëmijë për person, përkundër vendeve të BE-së si Rumania (2), Kroacia (2.1) apo Bullgaria (2.2). Ky tregues tregon jo vetëm dëshirën e lartë për prindërim, por edhe potencialin e madh për rritje demografike, nëse shoqërohet me politika të qëndrueshme sociale dhe ekonomike.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *