Një nga tërmetet më të fuqishme në historinë bashkëkohore ka shkaktuar evakuime në Japoni, Hawaii dhe në disa pjesë të bregdetit perëndimor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Tërmeti me magnitudë 8.8 shkallë të Rihterit kishte epiqendër Rusinë lindore, duke shkaktuar përmbytje të gjera e duke lënë të lënduar disa persona, ka shkruar BBC.
Valë të cunamit me lartësi 3 deri në 4 metra janë raportuar po ashtu në Gadishullin Kamçatka të Rusisë, teksa valë 30 centimetra kanë goditur një qytet në Hokkaido, në veri të Japonisë.
Guvernatori i Hawait, Josh Green, u ka bërë thirrje qytetarëve të ndjekin urdhrat e evakuimit dhe të qëndrojnë të qetë, përderisa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka këshilluar amerikanët që të jenë vigjilentë ndaj paralajmërimeve për cunami.
E këto paralajmërime janë lëshuar në nivele të ndryshme edhe në disa pjesë të Kinës, Filipineve, Indonezisë, Guamit, Perusë dhe Ishujve Galapagos pranë Ekuadorit.



