Tetori Rozë/ Gjatë nëntë muajve, 330 raste me kancer të gjirit në Kosovë – mes tyre edhe 3 burra

Notix Info
3 Min Read

Në Kosovë numri i rasteve të reja me kancer të gjirit është në rritje graduale. 

Vetëm gjatë nëntë muajve të këtij viti janë diagnostikuar 330 raste të reja, shifër pothuajse e njëjtë me vitin e kaluar për të njëjtën periudhë, shkruan Gazeta Shneta.

“Në vitin 2023 ishin të diagnostikuara rreth 425 raste me kancer të gjirit, në vitin 2024 ky numër u rrit në 460 raste, ndërsa gjatë nëntëmujorit të këtij viti kemi 330 raste të reja, me një numër pothuajse të përafërt me vitin e kaluar brenda të njëjtës periudhë”, tha për Gazeta Shneta onkologja e QKUK-së, Dr. Vildana Goga.

Ajo theksoi se kanceri i gjirit prek të dy gjinitë.

Ad imageAd image

 “Në Kosovë gjatë vitit të kaluar katër burra janë diagnostikuar me kancer të gjirit, ndërsa këtë vit deri më tani janë tre meshkuj të diagnostikuar.”

Sa i përket grupmoshave, Dr. Goga bëri të ditur se mosha gratë mbi moshën 50 vjeçare janë më të rrezikuara nga kanceri i gjirit.

“Prej moshës 50 deri në 69 vjeçare, rreth 50% e grave të diagnostikuara me kancer të gjirit i përkasin kësaj grupmoshe. Ndërkohë, rreth 20-25% janë gratë prej moshës 40-50 vjeçare dhe 5-10% janë gratë nën moshën 40 vjeçare.” u shpreh tutje Dr. Goga.

Lidhur me simptomat e para që i çojnë gratë tek mjeku, ajo u shpreh se lidhen me ndryshimet që pëson gjiri.

“Shpeshherë gratë vijnë me një kokërr në gji apo në sqetull, me një ndryshim në formën apo madhësinë e gjirit, me ndryshime në lëkurën e gjirit si skuqje, si dhe me ndryshime në majën e gjirit, qoftë me sekrecion nga maja apo tërheqje të thithës.” theksoi Dr. Goga.

Sa i përket faktorëve të rrezikut, Dr. Goga shpjegon disa prej tyre.

“Faktori kryesor është mosha, sepse me rritjen e moshës rritet edhe incidenca e shfaqjes së kancerit të gjirit. Pastaj janë mutacionet gjenetike, anamneza familjare, ekspozimi i gruas ndaj hormoneve femërore për një kohë të gjatë – qoftë në aspektin kontraceptiv apo të simptomave postmenopauzale të trajtuara me estrogjen dhe progesteron. Faktorë të tjerë janë obeziteti, jeta joaktive, dietat jo të koordinuara me nevojat ushqyese të trupit, si dhe konsumimi i alkoolit e duhanit.” tha ajo.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *