Rekomandimet në seksionin “For You” të TikTok kanë qenë gjithmonë një mister për krijuesit e përmbajtjes. Edhe ata më me përvojë shpesh nuk e kuptojnë pse disa video bëhen virale, ndërsa të tjera jo.
Prej kohësh është spekuluar për llojet e përmbajtjes që algoritmi i aplikacionit nuk pranon, por tani kompania synon të sjellë më shumë transparencë rreth mënyrës se si funksionon ky sistem.
TikTok ka nisur testimin e një funksioni të ri, të quajtur “kontrolli i përmbajtjes” (content check), i cili u mundëson krijuesve të kontrollojnë nëse videot e tyre kanë ndonjë problem që mund t’i pengojë të shfaqen në faqen “For You”.
Fillimisht, ky opsion do të jetë në një version të thjeshtuar, të quajtur “Content Check Lite”, i cili është i bazuar në web dhe i disponueshëm për desktop përmes TikTok Studio. Ky funksion do të kontrollojë nëse videot e ngarkuara i përmbushin kushtet për rekomandim në “For You” dhe do të identifikojë problemet e mundshme para publikimit.
Kompania thotë se ndodhet në “fazat e hershme” të testimit edhe për një version më të avancuar të këtij funksioni, i cili jo vetëm që do të tregojë nëse një përmbajtje është në përputhje me udhëzimet, por edhe do të ofrojë sugjerime konkrete për përmirësim. Aktualisht, një grup i vogël krijuesish po merr pjesë në këtë testim.
TikTok ka provuar një version të ngjashëm të këtij funksioni për shitësit në TikTok Shop, i cili ka rezultuar me një ulje prej 27% të përmbajtjes me cilësi të ulët. Kompania beson se ky funksion mund të ndihmojë në rritjen e besimit të krijuesve, të cilët shpesh spekulojnë për “ndalime të fshehta” dhe habiten pse disa video nuk marrin shikimet e pritura.
Përveç kësaj, TikTok ka prezantuar edhe disa risi të tjera për krijuesit, si kontrolle të reja për heshtjen dhe filtrimin e komenteve, që e bëjnë më të lehtë largimin e fjalëve të caktuara nga komentet në transmetimet live dhe postimet e tjera.
Gjithashtu, aplikacioni do të përfshijë një “kuti mesazhesh për krijuesit”, për të lehtësuar menaxhimin e komunikimit, si dhe “dhomat e bisedës për krijuesit”, të cilat u japin mundësinë profileve të aprovuara të krijojnë një hapësirë të dedikuar për biseda me deri në 300 ndjekës.
 
					 
							 
		 
		 
		 
		
 
			
 
		
