Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka urdhëruar vendosjen e dy nëndetëseve bërthamore pranë territorit të Rusisë, si reagim ndaj komenteve të forta të Dmitry Medvedevit, nënkryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë dhe ish-president i vendit.
Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trump deklaroi se urdhri për dislokimin e nëndetëseve është dhënë si masë parandaluese, në rast se deklaratat e Medvedevit nuk janë vetëm retorikë. Ai theksoi se fjalët kanë peshë dhe shpesh sjellin pasoja, duke shtuar se shpreson që ky të mos jetë një prej atyre rasteve.
Kjo lëvizje vjen vetëm pak ditë pasi Trump i kishte dhënë Rusisë një afat prej dhjetë ditësh për të ndalur agresionin ndaj Ukrainës, duke kërcënuar me sanksione të ashpra ndaj eksportuesve rusë të naftës nëse nuk ndërmerret ndonjë veprim për de-përshkallëzimin e konfliktit. Medvedev reagoi ashpër ndaj këtij ultimatumi, duke thënë se Rusia nuk është as Izrael dhe as Iran, dhe se kërcënimet e tilla nuk sjellin paqe, por nxisin përplasje më të mëdha.
Në deklaratat e tij, Medvedev përmendi gjithashtu sistemin rus të përgjigjes automatike bërthamore të njohur si “Dead Hand”, duke e përdorur si paralajmërim për kapacitetin ushtarak të Rusisë në rast të ndonjë sulmi.
Vendosja e dy nëndetëseve bërthamore në pozicione të panjohura, por pranë Rusisë, është parë si një sinjal i qartë i forcës dhe vendosmërisë nga ana e administratës amerikane. Analistët ndërkombëtarë po e konsiderojnë këtë si një moment të rrezikshëm që mund të rrisë më tej tensionet mes dy fuqive bërthamore.
Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar po ndjek nga afër zhvillimet, në një kohë kur marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës janë në një nga pikat më të ulëta që nga Lufta e Ftohtë.



