Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj duket se kanë përfunduar takimin e shumëpërfolur këto ditë.
Ende nuk dihen detaje nëse ka pasur dakordim për ndonjë marrëveshje për të dalë nga kriza politike.
Megjithatë, Kurti është parë duke u larguar nga ambientet e një restoranti në lagjen Pejton të kryeqytetit, shumë afër selisë së NISMA-s.
Mbajtjen dhe përfundimin e takimit a ka konfirmuar për Telegrafin, zyrtari i NISMA-s, Endrit Zabërgja.
“Po takimi është mbajtur dhe ka përfunduar. Sa i përket çështjes së marrëveshjes për këtë do të prononcohen vetë liderët, nuk mund të them diçka më shumë në këto momente”, ka thënë Zabërgja.

Ai ka shtuar se NISMA vazhdon me përkushtim dhe angazhim që ti jap vendit institucionet.
Kujtojmë se NISMA vijon të këmbëngulë për postin e kryeparlamentarit, siç deklaroi edhe deputetja Xhevahire Izmaku, e cila theksoi se Limaj në krye të Kuvendit është “mundësia më e mirë për vendin”.
Ndërkaq LVV nuk ka bërë të ditur nëse do të mund ta ndryshoj emrin e Albulena Haxhiut.
Afati për formimin e institucioneve përfundon më 26 korrik. Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se, në mungesë të marrëveshjes lënda do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.



