Një anije luftarake japoneze e zhdukur prej më shumë se tetë dekadash është zbuluar në thellësitë e Oqeanit Paqësor nga një ekspeditë shkencore amerikane. Bëhet fjalë për shkatërrimtaren “Teruzuki”, pjesë e Marinës Perandorake Japoneze gjatë Luftës së Dytë Botërore, e cila u fundos në dhjetor të vitit 1942 gjatë betejës për Guadalcanalin.

Zbulimi u bë nga anija hulumtuese Nautilus, pjesë e organizatës Ocean Exploration Trust, e cila përdori pajisje robotike të avancuara për të skanuar dhe eksploruar shtratin e detit. Anija u lokalizua në një thellësi prej rreth 800 metrash, në zonën e njohur si Iron Bottom Sound pranë Ishujve Solomon, një vend ku janë fundosur dhjetëra anije luftarake gjatë luftës.

“Teruzuki” ishte një anije e klasës Akizuki, ndërtuar për të mbrojtur flotën japoneze dhe për të shoqëruar aeroplanmbajtëset. Ajo u fundos më 12 dhjetor 1942 pasi u godit nga dy torpedorë të lëshuar nga anijet amerikane patrulluese PT-37 dhe PT-40. Shpërthimi shkaktoi një zjarr të madh dhe dëmtim të timonit, duke bërë që anija të fundoset shpejt. Nga 353 anëtarë të ekuipazhit, 9 humbën jetën dhe pjesa tjetër u shpëtua nga forcat japoneze.


Pamjet nënujore tregojnë se pjesa e pasme e anijes është ndarë nga trupi kryesor dhe ndodhet rreth 200 metra larg. Aty u zbuluan edhe bomba të pashpërthyera të thellësisë, gjë që përjashton teorinë e mëparshme se shpërthimi i tyre ishte shkaku i fundosjes. Struktura e armëve dhe e pjesëve të sipërme të anijes mbetet e dukshme, duke ofruar të dhëna të vlefshme për studiuesit dhe historianët.
Ky zbulim është një kontribut i rëndësishëm për historinë detare dhe përkujtimin e viktimave të luftës. “Teruzuki” i bashkohet listës së gjatë të anijeve të zbuluara në këtë rajon, duke ndihmuar në dokumentimin e trashëgimisë së Luftës së Dytë Botërore nën ujë.
Burimi: USA Today



