Një avion pasagjerësh An-24, i cili fluturonte këtë mëngjes në itinerarin Habarovsk-Blagoveščensk-Tinda, ka humbur kontaktin disa kilometra larg aeroportit të qytetit Tinda, në rajonin Amur në Rusi, pranë kufirit me Kinën, njofton Ministria ruse për Situata Emergjente.
Avioni i përket kompanisë Angara Airlines dhe në bord ndodheshin 49 persona, përfshirë gjashtë anëtarë të ekuipazhit dhe pesë fëmijë, raporton agjencia TASS.
Guvernatori i rajonit Amur, Vasili Orlov, deklaroi se janë angazhuar të gjitha forcat dhe mjetet e nevojshme për kërkimin e avionit An-24, njofton agjencia RIA Novosti.
Sipas të dhënave të para, avionit nuk i ishin raportuar probleme teknike para se të humbiste kontakti.
Kërkimi për avionin nisi menjëherë dhe autoritetet janë duke punuar për të vendosur vendndodhjen e saktë të tij.
Për momentin nuk ka informacion shtesë për gjendjen e pasagjerëve apo ekuipazhit, për shkak të rrethanave të incidentit.
Agjencia RIA Novosti njofton se shpëtimtarët janë dërguar në rajonin Tindinski të Amurit për të kërkuar avionin An-24, sipas një njoftimi të Qendrës për Mbrojtje Civile dhe Siguri nga Zjarret.
Mendohet se avioni ndodhej disa kilometra larg destinacionit të tij kur u humb kontakti, raportoi Reuters.
Sipas të dhënave fillestare nga guvernatori Orlov, në bord ishin 43 pasagjerë, përfshirë 5 fëmijë, ndërsa ekuipazhi përbëhej nga gjashtë persona.
Avioni është një bimotor turbohelik i kompanisë Angara Airlines dhe po fluturonte në rrugën Blagoveščensk-Tinda.



