Një zjarr shkatërrues ka përfshirë një hipermarket në qytetin al-Kut, në pjesën lindore të Irakut, duke lënë pas një bilanc tragjik prej së paku 60 viktimash dhe 11 persona të zhdukur. Lajmin e ka konfirmuar agjencia e lajmeve “Reuters”, duke cituar autoritetet shëndetësore lokale dhe burime policore.
Pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë flakët e mëdha që kanë kapluar një ndërtesë pesëkatëshe gjatë natës. Në video shihen zjarrfikësit duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të vënë nën kontroll zjarrin, i cili përhapi shpejt panik në zonë dhe vështirësoi ndjeshëm operacionin e shpëtimit.
Agjencia “Reuters” thekson se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur autenticitetin e videove që po qarkullojnë në rrjete.
“Ne kemi hartuar një listë me 59 viktima identitetet e të cilave janë konfirmuar, por një trup ishte aq keq i djegur, saqë ishte tepër vështirë që të identifikohej”, ka deklaruar një zyrtar shëndetësor nga al-Kut, duke shprehur tronditjen për gjendjen në vendin e ngjarjes.
Ndërkohë, një zyrtar tjetër lokal, Ali al-Mayahi, tha për “Reuters”: “Kemi më shumë trupa që nuk janë nxjerrë, ende nën rrënojat e zjarrit”.
Shkaku i saktë i zjarrit nuk është bërë ende i ditur, ndërsa hetimet janë në fazën fillestare. Guvernatori i provincës ka njoftuar se rezultatet paraprake të hetimit pritet të bëhen publike brenda 48 orëve, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve INA.
“Kemi paraqitur padi kundër pronarit të ndërtesës dhe të qendrës tregtare”, është shprehur guvernatori, duke paralajmëruar pasoja ligjore për personat përgjegjës në rast se konstatohet neglizhencë ose shkelje e standardeve të sigurisë.



